Mittwoch, 23. April 2014

Mirë se erdhët në Webfaqen e Misionit në Luzern

Urojmë që përmes saj të plotësojmë nevojat Tuaja me informata të mjaftueshme mbi plan programet dhe aktivitetet nga Misioni. Përndryshe, mund të na kontaktoni. Mirëpresim përgjigjet dhe komunikimin me Ju!


 

 

E DIELA E LARIT ( E diela e Luleve)

Emri i vjetër i kësaj të diele në liturgji ishte <<dominica de passione Domini>> (shek.IV-V). Më vonë ajo quhet <<Dominica palmarum>> ose <<Dominica in palmis>>. Kjo është ruajtur deri në ditët tona, kështuqë, me reformën e Koncilit të II të Vatikanit këto dy shprehje përmblidhen në një: <<Dominica in palmis de passione Domini>> - E diela e Larit e Mundimeve të Krishtit.
Në vendet ku nuk kishte palma kjo e diel është quajtur sipas lulës që është përdorë në vend të tyre, psh. <<Pascha florum>> ose <<Pascha floridum>>. (Emri i siujdhesës amerikane Florida ka këtë prejardhje. Gjatë një ekspedite mornarët e panë këtë siujdhesë në këtë të diel dhe e quajtën po me këtë emër).Liturgjia e kësaj dite ndahet në dy pjesë. Bekimi i rrembave që vazhdon me proçesion dhe përkujtimi kremtor i Mundimeve dhe vdekjes së Krishtit. Duke përkujtuar hyrjen mesianike në Jeruzalem (Mt 21, 1-10; Mk 11, 1-11; Lk 19, 28-38; Gjn 12, 12-19), si dhe Mundimet e Krishtit gjatë Javës së madhe, duhet të tentojmë që edhe më intenzivisht të përgatitemi për Ringjalljen e Krishtit, i cili me Ringjalljen e vet do ti jep kuptim jetës sonë.

TREDITËSHI SHENJTË

E ENJTJA E MADHE

Të Enjten e madhe kremtohet Mesha e darkës së Mbramë që duhet të jetë e vetmja atë ditë (duke mos përfshi këtu Meshën e shugurimit të vajrave e kremtuar prej ipeshkvit). Me Këtë meshë është e ndërlidhur tradita e larjës së këmbëve (traditë e ashtuquajtur mandatum – urdhër). Me këtë gjest shprehet çartë porosia e Krishtit që u jep apostujve, të jenë gjithmonë në shërbim të besimtarëve. Gjatë kësaj meshe shugurohen hostjet për të Premtën e madhe të cilat vendosen në një tabernakull (në kapellë ose të përgatitur për këtë rast në ndonjë vend të përshtatshëm në kishë) ku mundë të bëhet adhurimi para të Shenjtërueshmit Sakrament (Varrit shenjt). Më pas vazhdon zbulimi i lterit kryesor si shenjë zie e mbarë Kishës, si dhe duke marrë parasysh se të Premtën e madhe dhe të Shtunën e madhe nuk ka meshë por përkujtohen Mundimet dhe vdekja e Krishtit. Po përmendi këtu edhe traditën se kur thuhet Lavdia bien kumbonat të cilat pushojnë e nuk bien më deri në Lavdinë e Vigjiljes së Pashkëve.

E PREMTJA E MADHE

Liturgjia e të Premtës së madhe sot përmbanë tri pjesë: Shërbesën e fjalës; Adhurimin e Kryqit dhe kungimin.

Kjo ditë për të krishterët në gjithë botën është ditë agjërimi. Kisha porositë që ky agjërim të mbahet deri në Vigjiljen e Pashkëve. Që në fillim të riteve të kësaj dite meshtari shtrihet para lterit, besimtarët bien në gjunjë dhe të gjithë për pak kohë luten në heshtje. Në shërbesën e fjalës vëmendja është e përqëndruar në leximin e Mundimeve të Krishtit. “Kryqi, dru dhimbjesh e vuajtjesh, lter gjaku e flije zen vendin e parë në ritet fetare”… Kështu, “me adhurimin e Kryqit besimtarët ndjekin shpirtërisht tragjedinë e Golgotës, të paraqitun aq gjallë e aq thekshëm në Ungjillin e shën Gjonit” (Meshari i të kremteve, At D. Gjeçaj, Romë 1966).
Pas leximit të Mundimeve të Krishtit mbahet një homeli e shkurtër dhe vazhdohet me lutjet e gjithëmbarshme. Më pas bëhet adhurimi i Kryqit për të përfunduar me pjesën e tretë që është kungimi.
Sot, më mirë se kurrë, e kuptojmë se të kungohesh me korpin e Krishtit d. t. th. të marrësh pjesë në flijen e tij – të dijsh t`i pranosh edhe vuajtjet nga dashuria për të afërmin.
 

E SHTUNA E MADHE

Në këtë ditë nuk ka kremtim të euharistisë e as të shërbesës së fjalës, por me mendje e zemër lutemi duke përkujtuar Krishtin në varr i cili pret momentin e ngjalljes së vet të lavdishme.

NATA E SHENJTË - VIGJILJA E PASHKËVE

Vigjilja e Pashkëve përmbanë katër pjesë:

1)      Shërbesa e dritës: Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit, dritës së botës.

2)      Shërbesa e fjalës: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet.

3)      Shërbesa e pagëzimit: Sakrament ky përmes të cilit kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe

4)      Shërbesa euharistike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e Krishtit të ngjallur.

Shën Augustini për këtë natë shkruan kështu: Nata e Pashkëve është “Nata shenjte, nata nënë e të gjitha netëve të krishtërimit”.

KOHA E PASHKËVE

Koha e Pashkëve zgjatë 50 ditë. Fillon me Vigjiljen e Pashkëve dhe përfundon me të dielën e Rrëshajëve. Gjatë kësaj kohe përkujtojmë ngadhënjimin e Krishtit mbi vdekjen. Është kjo kohë gëzimi. Pra, për të kënduar edhe ne “Alelujen” e liturgjisë duhet të ringjallemi shpirtërisht me Krishtin duke filluar një jetë të re hiri.

 

 

RIPËRTËRITJA SHPIRTËRORE PËR KRESHME 2014

E enjte 03. Prill - ripërtërirja fillon në Luzern në ora 18.30.

E premte 04. Prill - Udha e Kryqit dhe Mesha në Littau 19.00.

E shtunë 05. Prill - Ligjerata 18.00; Rrëfimet prej 19.00, Mesha 20.00.

(Udhëheqës: Don Simo Luliq)

E diel 06. Prill - përmbyllja e ripërtëritjes me Meshët në Inwil 11.15; Sursee 13.30.

Rrëfimet për Pashkë:

Luzern: E shtunë 5 Prill në St. Michael prej orës 19.00.

Willisau: E enjte 10. Prill në kishën e Gjakut të Krishtit prej orës 19.00.

 


Porosia e Papës Françeskut për Kreshme 2014

Të dashur vëllezër e motra,me rastin e Kreshmës, ju ofroj disa reflektime, që të mund t’ju shërbejnë për ecjen personale dhe shoqërore të kthimit. Marr nxitjen nga shprehja e shën Palit: “Ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij” (2 Kor 8,9). Apostulli u drejtohet të krishterëve në Korint për t’i inkurajuar të jenë bujar duke ndihmuar besimtarët e Jerusalemit që gjenden në nevojë. Çfarë na thonë ne, të krishterëve të sotëm, këto fjalë të shën Palit? Çfarë na thotë sot neve ftesa për varfëri, për një jetë të varfër në kuptimin ungjillor?

  Porosia - teksti i plotë...



 

Kreshmët 2014

Vëllezër e motra në Krishtin,

Koha e shenjtë e Kreshmëve është përvojë e mirë e fesë dhe na fton të rrugëtojmë bashkë me Krishtin si dhe të meditojmë mbi krejt atë çka bëri Ai për ne.
Gjatë 40 ditëve, e kemi rastin e mirë të përtërihemi shpirtërisht përmes veprave të mëshirshme, mbi të gjitha përmes agjërimit, lëmoshës dhe lutjes. Që këtë ta arrijmë në mënyrë më të përsosur, është mirë të rrëfehemi dhe pajtohemi me Zotin dhe të afërmin.
Në këtë rrugëtim nuk jemi vetëm, me ne është Krishti. Ai e ka mundur të keqen dhe do të na ndihmoj të ngadhënjejmë edhe ne dhe të dalim fitues mbi tundimet e jetës. Këtë Kohë të shenjtë e karakterizon edhe devocioni i Udhës së Kryqit që na bën ta njohim më mirë dashurinë e Zotit ndaj nesh, kështu që, le të jetë kjo kohë, një ecje e frytshme e kthimit tonë shpirtëror duke medituar misteret e shëlbimit: vuajtjet dhe vdekjen e Krishtit në mal të Kalvarit.
Të dashur besimtarë, të gjitha kohërat janë të shenjta, e jona është që të realizohemi dhe shenjtërohemi dita ditës dhe kështu të arrijmë lumturinë e përjetshme – bashkimin tonë me Krishtin e Ringjallur!

Ju urojmë kohë të shenjtë të Kreshmëve.

Home   |   Mesha e Shenjtë   |   Programi mujor   |   Lutjet themelore   |   Sakramentet   |   Bibla Online   |   Galeria   |   Lidhje   |   Kontakt   |   Download
Copyright © 2014 Misioni Katolik Shqiptar